Gjykata Kushtetuese: Rritja e pagave është me efekt të shtyrë, Kuvendi ka afat deri më 1 tetor për të ndërhyrë

Nga D. V.
521 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Nëse Kuvendi, deri në datën e caktuar, nuk vepron në përputhje me qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese të shprehura në vendimin e 17 qershorit, atëherë nga 1 tetori të këtij viti, gjatë llogaritjes së pagave të kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të zbatohen ndryshimet e Ligjit për pagën dhe shpërblimet e tjera për personat e zgjedhur dhe të emëruar në shtet, të miratuara në dhjetor 2024.

Nga Gjykata Kushtetuese vlerësojnë se kryetari dhe gjyqtarët duhet të dallohen si në status, ashtu edhe në koeficientët për llogaritjen e pagave nga pjesa tjetër e të zgjedhurve dhe të emëruarve, ose thënë ndryshe, funksionarëve.

Si argument shtesë, Gjykata përmend edhe vendimin e saj të 8 prillit të këtij viti, kur u shfuqizuan ndryshimet e Ligjit për pagat e gjyqtarëve në gjyqësorin e rregullt, me ç’rast atyre iu rrit koeficienti për llogaritjen e pagës. Kjo, sipas Kushtetueses, ka sjellë një situatë paradoksale ku pagat e kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë aktualisht janë më të larta se ato të kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Pas vendimit me të cilin Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë koeficientët e vjetër nga viti 2024 për llogaritjen e pagave të kryetarit dhe anëtarëve të saj – që nënkupton rritjen e tyre – sot u publikua një sqarim se ky vendim ka efekt të shtyrë. Me shpjegim të shkruar, Gjykata thekson se Kuvendit, si organ legjislativ, i jepet afat shtesë deri më 1 tetor për të harmonizuar Ligjin për pagën dhe shpërblimet e tjera për personat e zgjedhur dhe të emëruar me qëndrimet juridike të Gjykatës, të shprehura në vendimin e miratuar më 17 qershor.

“Në këtë rast Gjykata zbatoi nenin 88 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese dhe parashikoi efekt të shtyrë të vendimit, duke i lënë Kuvendit afat shtesë deri më 1 tetor 2026 për harmonizimin e zgjidhjes ligjore me qëndrimet juridike të Gjykatës,” thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

Nëse Kuvendi nuk vepron deri në afatin e caktuar, nga 1 tetori të këtij viti, për llogaritjen e pagave të kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të zbatohen ndryshimet e Ligjit të dhjetorit 2024.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër