“Gjyqtarët janë të superpaguar”, Rama: Marrin më shumë se kolegët në Greqi. Janë bërë vetë zot, vetë shkop

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 shtator Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ka vazhduar debatin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në rrjetet sociale duke publikuar nivelin e pagave të magjistratëve në 10 vende të rajonit.

Sipas tabelës së publikuar nga kryeministri, sot gjyqtarët e prokurorët shqiptarë renditen të dytët pas Rumanisë për nivelin e pagave në rajon, e nëse aplikohet rritja që qeverisja e gjyqësorit miratoi pak ditë më parë, magjistratët shqiptarë bëhen më të paguar se kolegët e tyre në Rumani, Greqi, Bullgari.

“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan Rama.

Debati mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë pritet të vazhdojë edhe këtë javë, pasi komisionet parlamentare të hënën nisin diskutimin e ndryshimeve ligjore që garantojnë rritjen e pagës për gjyqtarët e prokuroët.

Të hënën ky draft kalon në komisionin e ekonomisë e pasi të kalojë edhe në komisionin e ligjeve të enjten ligji pritet të miratohet në seancë plenare.

Projektligji parashikon rritjen e pagës me 80% për SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme dhe rritjen me 85% të pagës së Gjykatës së Lartë e asaj Kushtetuese. Ndërkohë që gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë do të përfitojnë një rritje page vetëm 0.02%.

Opozita ka dalë kundër këtij ligji i cili sipas saj nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kundër janë shprehur edhe vetë magjistratët.

Në shkurtin e këtij viti, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Parlamentin që të rrisë pagat e gjyqtarëve duke e lënë në dorën e ligjvënësit miratimin e një formule të re për pagat e gjyqtarëve. Kushtetuesja i vuri afat Kuvendit deri në datën 31 korrik për miratimin e ndryshimeve ligjore; afat ky që nuk u respektua nga parlamenti.

Në këtë situatë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë miratoi rritjen e pagës për magjistratët duke përshkallëzuar konfliktin mes qeverisë e sistemit të drejtësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër