Goditje e re për xhepat: Rritja e naftës mund të sjellë shtrenjtim në markete

Nga D V
582 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 gusht, Zhurnal.mk – Çmimet në markete për momentin janë të qëndrueshme, por mbeten të larta. Megjithatë, shtrenjtimi i karburanteve mund të ndikojë edhe në çmimet e produkteve për shkak të rritjes së kostove të transportit, paralajmëroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

Inspektorët e tregut do të monitorojnë lëvizjen e marzheve të tregtarëve dhe do të kontrollojnë nëse rritjet eventuale të çmimeve janë vetëm pasojë e kostove më të larta apo nëse kompanitë po rrisin edhe fitimet e tyre. Durmishi paralajmëroi ndërhyrje nëse kontrollet tregojnë rritje të pajustifikuar të marzhit bruto të fitimit.

“Është normale që kur rritet çmimi i naftës, kjo të ndikojë, por ne do të shohim, përmes mekanizmave administrativë që kemi, të ndërhyjmë nëse rritet marzhi bruto i fitimit. Përsëri do të bëjmë kontrolle. Jemi në një krizë botërore, jo vetëm në vendin tonë, por megjithatë në rajon jemi më të lirët sa i përket çmimeve”, deklaroi Durmishi.

Ndërkohë, tregtarët kërkojnë ndryshime në Ligjin për Praktikat e Padrejtëta Tregtare, me të cilat do t’u lejohej sërish kthimi i mallrave të pashitura te furnizuesit.

Ministri paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e tregtarëve, por theksoi se para çdo ndryshimi të ligjit duhet të përcaktohet se sa janë realisht humbjet e tyre për shkak të produkteve të pashitura. Duke qenë se rregullat aktuale janë harmonizuar me rekomandimet evropiane, për ndryshimin e tyre do të duhet të zhvillohen bisedime edhe me Bashkimin Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër