Gogu: 250 milionë lekë për spitalin forensik, ndërtimi nis në fillim të vitit 2027

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë Toni Gogu bëri të ditur sot se në projektbuxhetin për vitin 2027 për Ministrinë e Drejtësisë janë akorduar 250 milionë lekë për spitalin forensik*, ndërtimi i të cilit nis në fillim të vitit.

Gjatë raportimit në komisionin e Ligjeve mbi projketbuxhetin 2027, Gogu iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të komsionit, Ulsi Manja, lidhur me menaxhimin e këtij spitali.

“Do të fillojë transformimi i EVP-së Shënkoll në një spital. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka një fitues që do të zbatojë një kontratë në fillim të vitit, me vlerën 250 milionë lekë për ndërtimin e dy godinave të para spitalore. Më pas do të vijojmë dhe me godinat e tjera”, tha Gogu.

Gogu sqaroi se shërbimi shëndetësor në këtë spital do të ofrohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tërhiqet në ruajtjen e perimetrit të jashtëm të institucionit.

“Nga ky moment ai fillon të jetë spital dhe jo më institucion i ekzekutimit të veprave penale. Në fillim të vitit 2027 nis ndërtimi i godinave spitalore brenda institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale”, theksoi Gogu.

Sipas tij, plani është edhe më agresiv që i gjithë shërbimi shëndetësor në sistemin penitenciar të kalojë në varësi të MSHMS dhe trajtimi i këtyre mjekëve të jetë i barazvlefshëm me mjekët në shërbimin civil.

Po ashtu ministri informoi se Instituti për Riedukimin dhe Riintegrimin e të rinjve në konflikt me ligjin në Mëzez përfundon brenda këtij viti, ndërkohë që brenda gjashtëmujorit të parë të 2027-ës do të fillojë ofrimin e shërbimeve në nivel kombëtar.

artikuj të ndërlidhura