Gonxhja: Gati 1.1 milionë vizitorë në sitet kulturore, kryeson Kalaja e Gjirokastrës

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Shqipëria vijon të mbetet një destinacion i preferuar jo vetëm për turizmin bregdetar dhe malor por edhe për atraksionet kulturore dhe historike që ofron.

Institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të vizitorëve gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se gjatë periudhës janar-gusht 2026 sitet kulturore u vizituan nga 1,062,067 vizitorë vendas dhe të huaj.

Ministri theksoi se kjo shifër shënon një rritje me 65% krahasuar me vitin 2023.

“Kemi 21.3% më shumë vizitorë në sitet kulturore krahasuar me vitin 2024 dhe 5% më shumë krahasuar me 2025”, informoi Gonxhja.

Gonxhja bëri të ditur se Parqet Arkeologjike u vizituan nga  448,711 vizitorë, ndërkohë që
312,220 vizitorë u regjistruan në Kala dhe Monumente Kulture dhe 301,136 vizitorë në Muzetë Kombëtarë.

Ndër sitet më të vizituara, sipas ministrit renditet Kalaja e Gjirokastrës me 223,280 vizitorë dhe Parku Kombëtar i Butrintit me 204,867 vizitorë.

Po ashtu Parku Arkeologjik i Shkodrës gjatë kësaj periudhe regjistroi 135,293 vizitorë, ndërsa Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë 104,128 vizitorë.

Në periudhën janar-gusht, Parku Arkeologjik i Apolonisë regjistroi 91,764 vizitorë dhe Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat 70,143 vizitorë.

Rritja e numrit të vizitorëve dëshmon interesin në rritje për trashëgiminë kulturore shqiptare, duke e kthyer historinë, monumentet dhe pasuritë arkeologjike në një nga pikat e rëndësishme të atraksionit turistik në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër