Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos kanë nisur punimet për një etapë historike të zhvillimit me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa ishin të pranishëm në nisjen e punimeve civile dhe konservuese në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos.
Gonxhja deklaron se ky investim me një fond prej 6.25 milionë eurosh zbatohet nga AICS në bashkëpunim me MTKS dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të zonës.
Ministri ka theksuar se do të jepen rreth 2 milionë euro për Qendrën e re Multifunksionale të vizitorëve, me muze, hapësira kërkimi dhe konservimi. Gjithashtu do të punohet për konservimin e monumenteve, punë e cila tashmë të nisur në 5 prej tyre, me 11 arkeologë të angazhuar në terren.
Synimi i këtij projekti është të sjellë më shumë mundësi për komunitetin, me 13 guida vendase të certifikuara e 210 mijë euro grante për 20 përfitues.
“Ruajmë Bylisin, zhvillojmë turizmin, promovojmë trashëgiminë dhe krijojmë më shumë mundësi për Mallakastrën”, është shprehur ministri Gonxhja.
Ambasadorja Sofia Moreira është shprehur se Bylisi është një nga sitet me vlera të veçanta historike dhe kulturore për Shqipërinë dhe Bashkimi Evropian është krenar që mbështet restaurimin e tij.
“Historia dhe bukuria e Bylisit të lënë mbresa të veçanta. Sot nis një projekt i rëndësishëm si për parkun arkeologjik, ashtu edhe për komunitetin përreth. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, siti do të mbrohet më mirë dhe do të bëhet më i aksesueshëm për vizitorët. Besojmë se këto ndërhyrje do të ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë, por edhe në krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillimin e turizmit lokal”, ka nënvizuar ambasadorja e BE-së.
