Mickoski paralajmëroi ribalanc të mundshëm, masat për karburantet do të kushtojnë 6-7 miliardë denarë

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski sot paralajmëroi se deri në fund të vitit është i mundshëm edhe një ribalanc tjetër i Buxhetit, pas atij që u miratua në korrik të këtij viti. Kjo, siç tha Mickoski, është për shkak të mjeteve më pak të mbledhura nga akcizat dhe TVSH-ja, të cilat sipas vlerësimeve të Qeverisë, deri në fund të vitit do të arrijnë 6-7 miliardë denarë ose rreth 97 – 113 milionë euro. Ky mungesë në të ardhurat e Buxhetit është për shkak të ndërhyrjeve të Qeverisë me akciza dhe TVSH të ulura për të amortizuar rritjen e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës.

“Presim deri në fund të vitit të jemi më të shkurtër për 6-7 miliardë denarë në raport me atë që kemi planifikuar dhe prandaj është e mundur të ndodhë që të kemi edhe një ribalanc deri në fund të vitit”, deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë promovimit të konviktit studentor të rinovuar “Stiv Naumov” në Shkup.

Ai vlerëson se inflacioni tek ne nuk ka marrë hov të madh, dhe se dy muaj me radhë, kushtimisht thënë, është i kontrolluar dhe është nën mesataren evropiane. Në korrik ishte 2,3 për qind, në gusht ishte 2,6 për qind, së shpejti do të dihen edhe të dhënat për shtatorin.

“Gjithçka që është në rangun e 2-3 për qind është në kuadër të pritshmërive. Por, ajo që paraqet sfidë serioze për të gjithë ne është pasiguria kur bëhet fjalë për furnizimet me naftë dhe derivate të naftës në botë, çmimi në bursat që aktualisht është për naftën dhe derivatet e naftës, masat që ne i zbatojmë si qeveri për ta mbajtur nivelin e ulët (të derivateve), nivelin më të ulët në Evropë të çmimeve të karburanteve… Kjo do të na kushtojë si Buxhet, sipas llogaritjeve tona, vetëm mbi bazë të akcizave diku rreth 5 miliardë denarë, që për një ekonomi si e jona dhe buxhet si i yni është sakrificë e madhe”, theksoi Mickoski duke shtuar se për shkak të TVSH-së së ulur, ajo shifër do të jetë edhe më e madhe.

“Bëhet fjalë për 6-7 miliardë. Këto janë vlerësimet tona. Po shqyrtojmë mundësinë të bëhet edhe një ribalanc, por ajo që paraqet prioritet për ne si Qeveri, është të ruajmë standardin e qytetarëve, të kontrollohet niveli i ulët i inflacionit, dhe normalisht të ruajmë çmimin më të ulët të karburanteve jo vetëm në rajon por edhe në Evropë”, tha Mickoski duke sqaruar se bëhet fjalë për vlerësime në nivel vjetor, pra deri në fund të vitit, pasi siç theksoi, nuk pritet që kriza në Gjirin të përfundojë shpejt, edhe pse sot ka një ulje të caktuar të çmimit në bursat.

Ndryshe, me ribalancin e Buxhetit për vitin 2026, të miratuar në fund të korrikut të këtij viti, të ardhurat totale u rishikuan në 379,5 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 1,2 për qind në raport me Buxhetin fillestar, ndërsa shpenzimet totale u rishikuan në 425,8 miliardë denarë ose më shumë për 2,8% nga projeksionet fillestare. Deficiti buxhetor është projektuar në 46,3 miliardë denarë ose 4,1% të BPV-së, pra për 0,6 pikë përqindje më shumë në raport me Buxhetin fillestar për vitin 2026.

Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, deri në mesin e shtatorit të këtij viti, deficiti buxhetor i realizuar arriti në 46,08 miliardë denarë (afërsisht 749,24 milionë euro), me çka praktikisht është përmbushur pothuajse i gjithë deficiti vjetor i parashikuar me ribalancin.

Ekonomistët paralajmërojnë se me këtë dinamikë të shpejtë dhe të pakontrolluar të shpenzimeve, deficiti real deri në fund të vitit 2026 mund të tejkalojë ndjeshëm projeksionet e Qeverisë nëse nuk stabilizohen daljet buxhetore.

Para një jave, duke reaguar ndaj informacioneve për deficitin e shpenzuar, ministrja e financave Gordana Dimitrieska Kochoska, nga Nju Jorku, ku ishte në konferencë të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror, tha se deri në fund të vitit nuk pritet rishikim i normës së rritjes dhe ndryshime në deficitin buxhetor.

“Deri në fund të vitit nuk presim ndryshime të rëndësishme dhe mbetemi në projeksionin që e kishim, veçanërisht duke pasur parasysh se norma e rritjes në tremujorin e dytë është 4,3 për qind. Edhe në raport me deficitin buxhetor, ajo që na është projektuar, ajo do të mbetet, pa marrë parasysh nëse ne do të bëjmë ribalanc apo nuk do të bëjmë ribalanc. Nëse vendosim dhe bëjmë ribalanc të buxhetit, në të njëjtën kohë do të punojmë në shkurtim edhe në anën e të ardhurave edhe në anën e shpenzimeve. Nëse mbetemi në të njëjtën gjendje si tani, deficiti nuk do të dalë jashtë të parashikuarës, në të njëjtën kohë edhe huamarrja, pasi edhe ajo është pjesë e ribalancit”, theksoi ministrja e financave në intervistë për Televizionin Maqedonas në Nju Jork.

Të dhënat nga Numëruesi Fiskal në faqen e internetit të Ministrisë së Financave tregojnë se deri më 29 shtator në Buxhet ishin realizuar të ardhura prej 259,3 miliardë denarë ose 68,34 për qind nga të parashikuarat deri në fund të vitit, si dhe 299,69 miliardë denarë shpenzime, ose 70,39 për qind nga të parashikuarat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër