Gostivari me investime intensive infrastrukturore, punime në 11 lokacione të qytetit

Nga R.ZH
910 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 12 korrik, Zhurnal.mk – Komuna e Gostivarit po realizon një cikël të gjerë investimesh infrastrukturore, me punime që aktualisht zhvillohen në 11 lokacione të ndryshme në qytet dhe në vendbanimet përreth, me synim përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe komunale.

Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i linjës së re kryesore të ujësjellësit përgjatë Bulevardit të qytetit. Sipas autoriteteve lokale, ky investim pritet të rrisë kapacitetin e furnizimit me ujë të pijshëm për më shumë se 40 për qind, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimin për qytetarët.

Paralelisht me këtë projekt, po realizohen edhe rikonstruksione dhe ndërtime të disa akseve rrugore. Punimet përfshijnë rrugën kryesore në Balindoll, segmentin Forinë–Ako Gradba, rrugën “Nikola Tesla”, rrugët 2 dhe 3 në Zonën VII, rrugën “Servet Bajrami” deri te Gjimnazi, si dhe rrugët “Beogradska”, “Shumatovska”, “Dimitar Vllahov” dhe “Sedek Kostovski”.

Sipas informacioneve nga pushteti lokal, investimet kanë për qëllim modernizimin e rrjetit rrugor, përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe krijimin e kushteve më të mira për lëvizjen dhe jetesën e qytetarëve.

Autoritetet bëjnë të ditur se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim për shkak të kufizimeve të përkohshme në komunikacion në zonat ku po zhvillohen punimet.

Në të njëjtën kohë, për shkak të rritjes së frekuentimit të qytetit gjatë sezonit veror dhe ardhjes së mërgimtarëve, aktivitetet ndërtimore pritet të pezullohen përkohësisht gjatë javës së ardhshme. Punimet do të rifillojnë në fund të muajit gusht.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër