Shkup, 27 nëntor Zhurnal.mk – Gripi sezonal po përhapet me intensitet në Maqedoninë e Veriut, duke mbushur ordinancat e mjekëve. Të infektuar janë familje të tëra, ndërsa krahas gripit, në qarkullim është edhe COVID-19. Sipas mjekëve, pacientët po përballen me simptoma që zgjasin deri në tri javë, ndërsa te fëmijët vazhdojnë të dominojnë infeksionet respiratore.
Pediatrja dhe mjekja amë, dr. Mira Atanasova, thotë se ajo që shqetëson mjekët është kohëzgjatja e simptomave, pasi te një pjesë e madhe e pacientëve përmirësimi edhe pas dy deri në tri javësh është i vogël.
“Kanë pasqyrë klinike të zgjatur dhe kjo na shqetëson si mjekë. Pas dy deri në tri javësh, te një pjesë e madhe e pacientëve pasqyra klinike mezi është përmirësuar. Mund të zgjasë më shumë, por këtë vit pasqyra klinike është më e lehtë. Nuk kemi atë fillimin e papritur dhe të vrullshëm. Gripi mund të jetë brutal, brenda dy orësh mund t’ju rrëzojë dhe t’ju detyrojë të qëndroni në shtrat. Simptomat janë tipike: dhimbje të forta koke, plogështi, lodhje dhe kollë e thatë irrituese”, deklaroi dr. Mira Atanasova.
Numri më i madh i të infektuarve me grip është regjistruar në Shkup. Brenda një jave janë konfirmuar mbi 180 raste, që paraqet rritje prej 22 për qind krahasuar me javën paraprake.
Megjithatë, pritet që numri i të infektuarve të vazhdojë të rritet në periudhën në vijim. Mjekët paralajmërojnë se gripi mund të shkaktojë komplikime, veçanërisht te personat e moshuar dhe fëmijët me sëmundje kronike.
Imunizimi mbetet mënyra më efektive për mbrojtje nga gripi sezonal, sidomos për kategoritë më të rrezikuara. Deri më tani, kundër gripit janë vaksinuar mbi 33.500 qytetarë.
Ndërkohë, për vaksinim janë paraqitur rreth 80 mijë persona, ndërsa kuota për vaksinat falas për momentin është plotësuar.
