Prishtinë, 1 gusht Zhurnal.mk – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka paraqitur për herë të parë listën institucionale preliminare të viktimave të luftës, në të cilën janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se lista është ende preliminare dhe se procesi i dokumentimit do të vazhdojë.
“Pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë. Pikërisht për këtë, dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar punën e stafit të Institutit, duke theksuar se secili rast po trajtohet me profesionalizëm dhe ndjeshmëri njerëzore.
Sipas Haxhiut, rithemelimi i Institutit me ligj të posaçëm kishte për synim krijimin e një institucioni të qëndrueshëm, me mandat të qartë për dokumentimin e krimeve të luftës.
“Instituti ka nisur ta krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës”, është shprehur Haxhiu.
Ajo ka theksuar se dokumentimi do të vazhdojë derisa çdo viktimë të identifikohet dhe çdo krim i luftës të dokumentohet në mënyrë zyrtare.
