Haxhiu priti nxënësit që përfaqësuan Kosovën në EMO 2026 – ndau mirënjohje

Nga D. V.
2K e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 5 Maj, zhurnal.mk – Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ekipin e Kosovës në matematikë, pas pjesëmarrjes në Olimpiadën Evropiane të Matematikës, EMO 2026.

Ekipi u udhëhoq nga prof. asoc. dr. Valdete Rexhebeqaj-Hamiti, kryetare e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, ndërsa Kosova u përfaqësua nga nxënësit Ajan Hajrullahu, Lyron Celina, Vesa Xhymshiti, Ari Juniku, Shpendi Deva dhe Lekë Nikçi.

Në këtë garë, Ajan Hajrullahu fitoi medaljen e bronztë, ndërsa Lyron Celina dhe Vesa Xhymshiti fituan mirënjohje nderi.

U.D. Presidentja Haxhiu i përgëzoi nxënësit për rezultatin e arritur dhe për përfaqësimin e Kosovës në një garë të rëndësishme ndërkombëtare të matematikës.

“Pjesëmarrja në gara të këtij niveli është sukses në vete. Kur kësaj i shtohen edhe rezultatet e arritura, medalja e bronztë e Ajanit dhe mirënjohjet e nderit për Lyronin dhe Vesën, atëherë ky sukses merr kuptim edhe më të madh. Ai flet për përkushtimin, disiplinën dhe potencialin e të rinjve tanë në matematikë. Suksesi i tyre është edhe sukses i Republikës së Kosovës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Me këtë rast, ajo ndau mirënjohje për gjashtë nxënësit përfaqësues të Kosovës dhe për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballet Shoqata e Matematikanëve të Kosovës në përgatitjen e nxënësve për gara ndërkombëtare. U.D. Presidentja Haxhiu shprehu gatishmërinë që Presidenca të ndihmojë, qoftë drejtpërdrejt, qoftë duke shërbyer si urë lidhëse me institucionet përkatëse.

Po ashtu, në takim u theksua se Kosova në vitin 2027 do të jetë organizatore e Olimpiadës Evropiane të Matematikës, ku Prishtina do të mirëpresë të rinj të talentuar nga vende të ndryshme të Evropës.

U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se mbështetja për nxënësit e talentuar është investim në dije, shkencë dhe në të ardhmen e Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër