Hetimi i kreut të SHISH, Çuçi: Krenarë që kemi ndërtuar një shtet me pushtete të pavarura

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ku po diskutohej marrëveshja për Gazën, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ngriti çështjen e masës së arrestit në shtëpi ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke theksuar se informacionet e institucionit janë vënë në shërbim të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.

Balliu tha se siguria kombëtare dhe siguria e shtetit kanë rënë dhe kërkoi nisjen e kërkesave për informacion nga institucionet përkatëse.

Sipas tij, shkarkimi i mëparshëm i Hysenit në Kosovë duhej të ishte marrë në konsideratë përpara emërimit të saj në krye të SHISH.

“Përpara se të merreni me sigurinë e botës, merruni njëherë me sigurinë në Shqipëri, sepse qartazi siguria kombëtare këtu ka rënë, siguria e shtetit ka rënë”, deklaroi Balliu.

Ai iu referua edhe pyetjeve që kishte ngritur më herët në Komision lidhur me kontakte të pretenduara mes zyrtarëve të lartë dhe personave nën hetim, duke përmendur edhe rastin e Ergys Agasit.

Balliu kërkoi që institucionet të japin informacion për çështjet e ngritura.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Bledi Çuçi u shpreh se përgjegjësia duhet të jetë personale dhe se për çështjen duhet pritur përfundimi i hetimeve dhe qëndrimi i drejtësisë.

“Institucionet nuk janë emra të veçantë, përgjegjësia është personale, sikundër çdo njeri është i pafajshëm derisa të dënohet. Së dyti, sa mirë që funksionon ndarja e pushtetit. Duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet ku pushtetet janë të pavarura”, tha Çuçi.

Ai theksoi se pa u zbardhur plotësisht çështja nga drejtësia, nuk mund të bëhen vlerësime për përgjegjësitë konkrete.

“Pa e zbardhur plotësisht drejtësia, ne nuk mund të flasim për këtë çështje”, u shpreh Çuçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër