Hita takim me homologë nga rajoni: Thellojmë bashkëpunimin kundër krimit ndërkufitar

Nga D. V.
398 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 maj Zhurnal.mk – Gjatë konferencës mbi rezultatet e Taskforcës së Përbashkët për Migracionin, që u zhvillua në Kosovë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi takime me homologët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe me përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë takimeve me drejtuesit e policive të rajonit, u diskutua forcimi i bashkëpunimit operacional dhe koordinimit ndërkufitar, me në fokus reagimin e koordinuar në kohë reale kundër fenomeneve kriminale, si dhe për thellimin e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta për goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare.

Drejtuesit ranë dakord gjithashtu për shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë dhe një shërbimi më cilësor për qytetarët gjatë sezonit turistik apo situatave me fluks të lartë lëvizjesh.

Hita u takua edhe me zëvendësdrejtoren e Inteligjencës në Home Office të Mbretërisë së Bashkuar, Vikki Pullen, si dhe me zëvendësdrejtorin e Komandës së Sigurisë Kufitare, Jack Joseph.

Gjatë takimit, Hita rikonfirmoi angazhimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

Nga ana e tyre, zyrtarët britanikë vlerësuan rezultatet konkrete të arritura në kuadër të Taskforcës së Përbashkët për Migracionin dhe e cilësuan Policinë e Shtetit një partner kyç dhe të besueshëm në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër