Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, së bashku me drejtoreshën e Inspektoratit të Mjedisit (DIJMS), Ivana Ginovska, dhe drejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Milanov, mbajtën sot konferencë për shtyp lidhur me gjetjet nga kontrolli i DIJMS në Gostivar.
Ministri Hoxha shprehu shqetësimin e Qeverisë për qytetarët e sëmurë në rajonin e Pollogut dhe theksoi se institucionet po e ndjekin me kujdes zhvillimin e situatës.
“Dua t’i siguroj qytetarët e Gostivarit se Qeveria po ndërmerr të gjitha masat brenda kompetencave të saj dhe do të vazhdojë kështu deri në sqarimin e plotë të rastit. Pres që të përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat, si dhe përgjegjësia penale dhe morale për të gjithë ata që me veprim ose mosveprim kanë kontribuar në këtë gjendje. Kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve, nuk guxon të ketë kompromis apo fshehje të përgjegjësisë”, deklaroi Hoxha.
Gjetjet e Inspektoratit të Mjedisit
Drejtoresha Ginovska prezantoi rezultatet nga kontrolli i jashtëzakonshëm.
“Më 16.07.2026, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike – Gostivar, DIJMS lëshoi urdhër për kryerjen e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në lokacionin e caktuar. Kontrolli u krye nga inspektorët shtetërorë të mjedisit, në bashkëpunim me policinë kriminale, AUV, Qendrat e Shëndetit Publik të Shkupit dhe Tetovës, si dhe përfaqësues të NP ‘Komunalec’ Gostivar, në periudhën nga ora 19:00 deri në 23:00. Bazuar në gjendjen faktike të konstatuar, u përgatit procesverbal i cili tashmë është dorëzuar në Prokurorinë e Gostivarit.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të lejes për furnizim me ujë të qytetit të Gostivarit dhe disa vendbanimeve rurale, e lëshuar nga MPJSPP për NP ‘Komunalec’ Gostivar, u konstatua se kapja e ujit për të cilën është informuar publiku nuk është pjesë e lejes së operatorit. Uji i kapur vjen nga një trup ujor që aktualisht kalon në një kanal të hapur”, deklaroi Ginovska.
Investime dhe thirrje për përgjegjësi institucionale
Ministri Hoxha theksoi se aktualisht po zbatohet cikli më i madh investues në vend, me qindra projekte infrastrukturore në komunat e Maqedonisë, të fokusuara në:
përmirësimin e furnizimit me ujë,
sistemet e kanalizimit,
stacionet e pastrimit,
mbrojtjen e mjedisit.
Ai u bëri thirrje të gjithë bartësve të funksioneve publike, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, që të veprojnë profesionalisht, ligjërisht dhe me përgjegjësi.
“Vetëm kështu mund të ndërtojmë një sistem ku nuk do të ndodhin incidente si ai në Gostivar”, përfundoi Hoxha.
