Hoxha: Kosova të konstituojë sa më shpejt institucionet e reja

Nga D. V.
401 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 qershor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë vizitës në Prishtinë, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ku diskutuan zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe sfidat që e presin vendin në periudhën e ardhshme.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u theksua rëndësia e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, si dhe nevoja për bashkëpunim dhe përgjegjshmëri politike në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian.

“Nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, përfshirë proceset e rëndësishme institucionale që e presin vendin”, tha Hoxha.

Hoxha ritheksoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Kosovës, veçanërisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese euroatlantike dhe konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

“E sigurova për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Kosovës, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, avancimin e proceseve integruese evroatlantike, si dhe në përpjekjet për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

“Diskutuam gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë–Serbi, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të të dy vendeve”, tha Hoxha.

Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“U kushtuam vëmendje të veçantë edhe zhvillimeve që lidhen me ish-drejtuesit e UÇK-së. Shpreha respektin dhe solidaritetin tonë për kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe besimin tonë në pafajësinë e tyre. Njëkohësisht, ritheksova pritshmërinë që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të një procesi të rregullt ligjor”, tha Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër