Hoxha: Kurti dhe LVV nuk janë mbi shtetin e Kosovës, thirreni seancën konstituive

Nga D. V.
408 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 17 gusht, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë dhe ministrat e tij për uzurpim të pozitave dhe institucioneve.

Hoxha këto deklarata i bëri në një konferencë për media para objektit të Qeverisë, ku po qëndrojnë deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ajo tha se PDK-ja ndodhet aty për të kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe rikthimin e funksionalitetit kushtetues.

“Kurti duhet ta kuptojë, që në vend se ta sabotojë Kuvendin, ai duhet të vijë aty dhe të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Ajo është puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit: ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, tha Hoxha.

PDK-ja përsëriti thirrjen që Kurti, si subjekt që ka fituar shumicën parlamentare, të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Albin Kurti nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës dhe mbi Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Hoxha.

Ajo u bëri thirrje Kurtit dhe deputetëve të tij që të kthehen në Kuvend, me qëllim të nisjes së Legjislaturës së XI dhe rikthimit të rendit kushtetues.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër