Tiranë, 16 qershor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një mëngjes pune me ministrat për Çështjet Evropiane të vendeve të Bashkimit Evropian, në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC), për të diskutuar bashkëpunimin në kuadër të nismës “Mburoja Demokratike (Democracy Shield).
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se forcimi i qëndrueshmërisë sonë kolektive nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm se sa sot, teksa shoqëritë demokratike përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha nga dezinformimi, manipulimi dhe ndërhyrjet e huaja në hapësirën e informacionit dhe kërcënimet hibride.
Shqipëria, theksoi Hoxha, mirëpret hapjen e mekanizmave kyç europianë të qëndrueshmërisë për vendet kandidate, edhe si pjesë e procesit të integrimit gradual, dhe mbetet e përkushtuar të punojë ngushtësisht me partnerët europianë për mbrojtjen e institucioneve demokratike, forcimin e besimit publik dhe integritetit të hapësirës sonë informative.
Ministri theksoi se “në botën e sotme, faktet mbeten linja e parë e mbrojtjes së demokracisë”.
“Një shoqëri e shëndetshme ka nevojë për qytetarë të informuar, media të lira, të pavarura dhe etike, një shoqëri civile aktive dhe pjesëmarrëse, si dhe besim të qytetarëve te institucionet demokratike. Pa qytetarë dhe pa një shoqëri të pajisur e të fuqizuar për të njohur dhe për t’u rezistuar manipulimeve, ndërhyrjet dashakeqe, të përhapura shpesh në mënyrë të sofistikuar përmes rrjeteve sociale, rrezikojnë të gërryejnë besimin publik dhe të dëmtojnë kohezionin shoqëror”, deklaroi Hoxha.
