Hoxha në vizitë pune në Komunën e Studeniçanit – Në realizim e sipër projekte kapitale komunale

Nga D. V.
538 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 maj Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi sot një vizitë pune në Komunën e Studeniçanit, ku së bashku me kryetarin e komunës Ejup Abazi, inspektuan projektet aktuale infrastrukturore që po realizohen me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Në kuadër të vizitës, ministri Hoxha vizitoi lokacionin ku po zhvillohen aktivitetet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për ujërat e zeza në fshatin Moranë. Projekti ka vlerë prej 4.519.715 denarësh dhe tashmë është realizuar mbi 50 për qind.

Ky investim, tha Hoxha, është pjesë e programeve të Ministrisë për sigurimin e infrastrukturës cilësore komunale në të gjitha vendbanimet, me qëllim tejkalimin e sfidave shumëvjeçare me të cilat përballen banorët e këtij rajoni.

Përveç këtij projekti, në Studeniçan është duke u realizuar edhe faza e tretë e ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit – projekt për të cilin Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar mbi 53 milionë denarë. Rrjeti i ujësjellësit ka gjatësi prej 8.7 kilometrash, nga të cilat 5.5 kilometra tashmë janë përfunduar.

Ministri Hoxha theksoi se Ministria vazhdon me mbështetje të fuqishme për komunat në realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore që kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër