Hoxha pret Jeffers: Shqipëria gati të japë kontributin e saj për paqen në Gaza

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha priti sot në takim Gjeneral Major Jasper Jeffers, Komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.

Hoxha informoi se në takim u diskutua mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, që sipas tij, “shndërron në kontribut real në terren, një prej komponentëve kryesorë të politikës së jashtme: avancimin e paqes dhe sigurisë dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të bëjnë një ndryshim”.

Hoxha nënvizoi se si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në mbështetjen e përpjekjeve për të krijuar kushtet për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

“Pjesëmarrja jonë në ISF pasqyron gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar konkretisht në një iniciativë që synon ruajtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin, dhe ndihmën në krijimin e kushteve për një horizont politik të besueshëm dhe të qëndrueshëm për një jetë më të mirë për të gjithë”, tha Hoxha.

Ministri shtoi se “Shqipëria ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të tjera ndërkombëtare.”

“Kontributi ynë në ISF është një vazhdim i natyrshëm i këtij angazhimi dhe i besimit tonë se vendet, pavarësisht nga madhësia e tyre, mund të japin kontribute domethënëse në adresimin e sfidave të kohës sonë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, për paqen, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit”, deklaroi Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër