Hoxha pritet nga Neculăescu: Rumania, mbështetje e çmuar për integrimin evropian të Shqipërisë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në Bukuresht me Ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Rumanisë, Dan Neculăescu.

Në takim u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh, me fokus të veçantë në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe shfrytëzimin e plotë të potencialit të tyre.

Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe për procesin e zgjerimit të BE-së në tërësi.

“Së bashku, mbetemi të angazhuar për të çuar përpara integrimin evropian dhe për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Ministri.

Të dy homologët shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet kryesore të sigurisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Hoxha nënvizoi rëndësinë e unitetit mes Aleatëve, koordinimit më të ngushtë brenda NATO-s dhe mbështetjes së vazhdueshme e të palëkundur për Ukrainën.

Ministri i Jashtëm rikonfirmoi solidaritetin e Shqipërisë me Rumaninë përballë sfidave në zhvillim të sigurisë në rajonin e Detit të Zi, si dhe vendosmërinë për të punuar ngushtësisht në mbrojtje të sigurisë së përbashkët evropiane dhe euroatlantike.

artikuj të ndërlidhura