Hoxha pritet nga Tajani: Italia, mbështetëse e fortë e integrimit evropian të Shqipërisë

Nga D. V.
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 maj, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një vizitë zyrtare në Romë, ku u prit në Palazzo della Farnesina nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha e cilësoi takimin si një kënaqësi të veçantë dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si një partneritet të thellë e të mirëstrukturuar, të mbështetur në lidhje historike, miqësi mes popujve dhe një vizion të përbashkët strategjik për të ardhmen.

Sipas Hoxhës, gjatë bisedimeve u rikonfirmua niveli i lartë i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fusha të ndryshme, si dialogu politik, integrimi evropian, siguria, mbrojtja, migracioni, energjia, ekonomia, turizmi, kultura dhe lidhjet mes qytetarëve.

Ai nënvizoi se, Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe një investitor strategjik në sektorët prioritarë të zhvillimit të vendit.

Ministri Hoxha shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar Romën si një nga mbështetëset më të forta të së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

“Së bashku mbetemi të angazhuar për të forcuar më tej partneritetin tonë strategjik, në dobi të qytetarëve tanë, stabilitetit rajonal dhe një Evrope më të fortë”, u shpreh Hoxha.

Në përfundim, kryediplomati shqiptar falënderoi homologun italian Antonio Tajani për mikpritjen dhe diskutimet e frytshme gjatë takimit në Romë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër