Hoxha-Sørensen në Bled: Dialogu Kosovë-Serbi, i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin

Nga D V
539 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 shtator, Zhurnal.mk – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi takime të veçanta në Bled, Slloveni, me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Prishtinë–Beograd, Peter Sørensen, Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të Bashkimit për Mesdheun, Fadi Hajli, si dhe me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Tālis Linkaits.

Takimet u zhvilluan në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, ndërsa Hoxha vlerësoi se “aktivitete të tilla ofrojnë mundësi të vyera për takime dhe shkëmbime me aktorë të ndryshëm, veçanërisht për çështje me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin”.

Ministri informoi se në qendër të diskutimeve ishin dialogu, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, si dhe rëndësia e përshpejtimit të ndërlidhjes dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në hapësirën evropiane.

Në takimin me Sørensen, ministri Hoxha theksoi rëndësinë e një dialogu të qëndrueshëm, të orientuar drejt rezultateve konkrete e të prekshme, për të avancuar më shpejt drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ndërsa në qendër të takimit me me Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të Bashkimit për Mesdheun, Fadi Hajli ishte forcimi i bashkëpunimit euro-mesdhetar dhe mundësitë për të avancuar projekte konkrete në fusha me rëndësi për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Në takimin me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Tālis Linkaits, ministri Hoxha diskutoi mbi ndërlidhjen, infrastrukturën dhe mobilitetin, si elementë kyç për një Ballkan Perëndimor më të integruar dhe më pranë tregut dhe hapësirës evropiane.

“Dialogu, ndërlidhja dhe bashkëpunimi janë tre shtylla të një rajoni më të qëndrueshëm, më të integruar dhe më evropian”, u shpreh Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër