Tiranë, 09 qershor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha vlerësoi sot pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
“Urime Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj, institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, si dhe të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse, për pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare”, u shpreh Hoxha në rrjetet sociale.
Në vijim, Hoxha theksoi se “presim me shumë interes formimin e institucioneve të reja që burojnë nga vullneti i zgjedhësve, për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të gjithanshme në të mirë të interesave tona reciproke dhe të përbashkëta, si dhe për avancimin në rrugëtimin drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike”.
