Studentët e pranuan modelin e ri për ushqim, por me dy kushte

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 nëntor Zhurnal.mk – Studentët kanë dhënë përgjigjen e tyre për modelin e ri të subvencionimit të ushqimit studentor. „Rezistenca Studentore“ e pranon propozimin e Qeverisë për rritjen e shumës mujore nga 3.500 në 4.500 denarë, por vendos edhe dy kushte që, sipas tyre, duhet të plotësohen para se modeli të hyjë në fuqi.

Nga kjo organizatë kërkojnë që të gjitha zgjidhjet e dakorduara të përfshihen në Ligjin për ushqimin e subvencionuar studentor, ndërsa lista e kompanive dhe marketeve ku studentët do të mund t’i shfrytëzojnë mjetet të publikohet paraprakisht.

“Pranimin e modelit të propozuar e kushtëzojmë me përfshirjen e zgjidhjeve të dakorduara në ligj dhe publikimin me kohë të listës së kompanive dhe marketeve“.

Modeli i ri parasheh vendosjen e një sistemi të veçantë digjital, të quajtur „M ushqimi studentor“, përmes aplikacionit “M. shërbiomet”, si dhe rritjen e subvencionit mujor në 4.500 denarë. Parashihen edhe zbritje shtesë në marketet dhe kompanitë e përfshira në sistem, të cilat do të vlejnë deri në fund të muajit, pavarësisht nëse studenti e ka shpenzuar të gjithë shumën.

Kujtojmë se propozimi iu prezantua përfaqësuesve të parlamenteve studentore në takimin e së mërkurës me kryeministrin dhe ministren e Arsimit. Pas takimit, kryeministri kishte deklaruar se pret përgjigje nga studentët, duke theksuar se edhe ata ishin pajtuar se modeli i ri paraqet zgjidhje më të mirë se ai aktual.

Me pranimin e propozimit nga “Rezistenca Studentore”, tashmë mbetet të shihet nëse Qeveria do t’i përfshijë kushtet e studentëve në zgjidhjen ligjore.

artikuj të ndërlidhura