Hoxha: Veprimi klimatik kërkon masa konkrete, investime dhe përgjegjësi të përbashkët

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mori pjesë në dialogun nacional me temë „Përshpejtimi i veprimit klimatik: Dialogu nacional në rrugën drejt COP31“, organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Siç bënë të ditur nga Ministria, në kuadër të aktivitetit u zhvillua një panel-diskutim, ku përveç ministrit Hoxha, morën pjesë edhe presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorian, si dhe Dame Dimitrovski, këshilltar i kryeministrit për mjedisin jetësor dhe klimën. Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës së ndryshimeve klimatike.

Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se detyrimet në fushën e klimës duhet të përkthehen në masa konkrete dhe rezultate të matshme. Ai veçoi avancimin e planifikimit nacional klimatik, hartimin e Ligjit për Veprimin Klimatik dhe forcimin e sistemit të monitorimit dhe raportimit si hapa të rëndësishëm drejt një politike klimatike më të përgjegjshme dhe më efikase.

Ministri Hoxha theksoi se për përshpejtimin e veprimit klimatik nevojiten institucione të fuqishme, koordinim, investime dhe mbështetje e përshtatshme ndërkombëtare. Politika klimatike, nënvizoi ai, është e rëndësishme edhe për tranzicionin e gjelbër, sigurinë energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Dialogu nacional është pjesë e përgatitjeve të vendit për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike COP31, e cila do të mbahet në Antalia të Turqisë, nga 9 deri më 20 nëntor 2026.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër