Shkup, 8 prill Zhurnal.mk – Instituti për Hulumtime Sociologjike radhit një sërë faktorësh të cilët ndikojnë në cilësinë e dobët në arsim, posaçërisht në atë fillor. Mjetet teknologjike dhe përdorimi jo i duhur i tyre janë faktorët kryesor që po lënë nxënësit pa marrë njohuritë e duhura, madje ato bazë, lexim me kuptim.
“Nxënësit e kanë gjithnjë e më të vështirë të shkruajnë, e madje edhe më të vështirë të kuptojnë atë që lexojnë dhe e gjithë kjo si rezultat nga përdorimi i pakontrolluar i telefonave celularë. Edhe pse po rriten në epokën digjitale, shumë nxënës nuk e dinë kuptimin e nocioneve bazë, siç është fjala “audio”, dhe e kanë të pamundur të ndërtojnë një qëndrim personal për tema jetike si ndotja e ajrit. 93% e fëmijëve të moshave të vogla janë përdorues aktivë të pajisjeve inteligjente, ndërsa 24% e nxënësve të klasave të teta kalojnë gjithë ditën në rrjetet sociale”, deklaroi Petar Atanasov, profesor dhe drejtor i Institutit për Hulumtime Sociologjike.
Analiza e fundit i Institutit për Hulumtime Sociologjike, e realizuar në 10 shkolla të dy komunave të Shkupit, nxjerr në pah edhe një shqetësim tjetër. Sa më shumë që nxënësit përdorin tastierat virtuale, aq më shumë zbehet aftësia e tyre për të shkruar me dorë, gjë që reflektohet direkt në suksesin e tyre shkollor.
“Diçka që duhet ne të gjithë të kujtohemi është se përderisa fëmijët tanë qëndrojnë nëpër aparatet digjitale dhe gjithnjë e më shumë shkruajnë nëpërmjet të gishtave nëpër tastierat virtuele, sa më pak që e përdorin lapsin aq më shumë pastaj kemi probleme në kushte normale shkollore që të mund të shkruajnë. Ajo që është interesante në këtë rast është se ata që më së paku dinë të shkruajnë mirë nënkupton se ato më së shumti qëndrojnë me aparatet digjitale, me telefonat, me tabletët pikërisht janë ato fëmijë me të cilët duhet të punojmë shumë, të mos i lëmë tërë kohën të qëndrojnë në rrjetet sociale”, deklaroi Safet Ballazhi, Psikolog.
Hulumtimi në fjalë u realizua gjatë muajit mars dhe prill të vitit 2025. Janë testuar 1.288 nxënës, 703 të klasave të katërta dhe 585 të klasave të teta.
