Hyseni mirëpret vendimin e Qeverisë për shpronësimin e pronave në “Qarkoren e Vjetër” të Gjilanit

Nga D. V.
336 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 maj Zhurnal.mk – Komuna e Gjilanit ka mirëpritur miratimin e vendimit përfundimtar nga Qeveria e Kosovës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit – Llot 1 dhe Llot 2”, në zonat kadastrale Shillovë, Livoç i Ulët dhe Gjilan.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se ndihet “tejet i lumtur” që, sipas tij, po marrin fund problemet pronësore që datojnë që nga vitet e paraluftës në këtë pjesë të qytetit.

Ai ka bërë të ditur se vendimi për shpronësim është votuar në mbledhjen e 19-të të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se qytetarët pronat e të cilëve preken nga projekti do të kompensohen, gjë që, sipas tij, i hap rrugë Komunës për realizimin e projektit të zgjerimit dhe modernizimit të kësaj zone.

“Dua ta falënderoj përzemërsisht kryeministrin Albin Kurti, ish-ministrin Liburn Aliu, ish-ministrin Hysen Durmishi, si dhe ministren Fitore Pacolli për mbështetjen e parezervë, pavarësisht të gjitha sfidave që kanë qenë gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Hyseni.

Kryetari i Gjilanit ka theksuar po ashtu se, me këtë vendim, Komunës së Gjilanit i janë kursyer së paku 20 milionë euro nga vendimet gjyqësore për shpronësim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër