Produktet me prani të pesticideve, masa kundër prodhuesve të papërgjegjëm

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 nëntor Zhurnal.mk – Mollë, speca, kumbulla janë disa nga produktet nga Maqedonia e Veriut që janë refuzuar në tregjet e huaja për shkak të mbetjeve të pesticideve mbi kufijtë e lejuar. Rastet janë evidentuar në Kroaci dhe Bullgari. Por çfarë ndodh me këto produkte kur kthehen në vend? A përfundojnë në tregun vendas apo asgjësohen?

“Fillimisht dua të siguroj qytetarët se një prodhim i tillë i kthyer nga çfarë do lloj vendi dhe që konstatohet prezencë e palejuar apo mbi normën e lejuar të pesticideve nuk përfundon në tryezar e qytetarëvë tanë. Në qoftëse analizat konstatojnë edhe njëherë prezencë të palejuar të pesticideve jepet urdhër për asgjësim në deponi të autorizuara. Inspektori e ndjek vazhdimisht gjatë gjithë rrugëtimit deri në deponi dhe deri në asgjësimin e saj dhe g jatë gjithë fazave plotëson procesverbal dhe jep raport në fund. Njëjtë bëhet procesverbal edhe në deponi nga personat që e pranojnë mallin ndërkaq e gjithë ngarkesa është e izoluar dhe nuk mund të preket” – deklaroi Zv.Ministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha.

Hoxha shton se tek prodhuesi ngarkesa e të cilit është kthyer bëhen kontrolle edhe tek produktet tjera. Edhe pse nga fillimi i vitit e deri tani janë kthyer 10 dërgesa, zv.ministri siguron se çdo produkt i kthyer i nënshtrohet analizave shtesë në laboratorët fitosanitarë dhe mbahet përgjegjësi e plotë për fatin e produkteve të kthyera.

Në këtë drejtim kërkuam të dhëna nga Inspektorati i Bujqësisë për kontrollet e kryera nga ku na njoftuan se nga janari deri në tetor ka kryer 778 kontrolle inspektuese, nga të cilat 200 kontrolle të rregullta, 528 kontrolle të jashtëzakonshme dhe 50 kontrolle inspektuese.

Kontrollet janë kryer me qëllim verifikimin e zbatimit të dispozitave ligjore dhe përmbushjes së detyrimeve nga ana e prodhuesve bujqësorë dhe subjekteve të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Gjatë realizimit të kontrolleve janë konstatuar parregullsi, për të cilat janë ndërmarrë gjithsej 66 masa inspektuese: 16 vërejtje, 10 detyrime, 13 urdhra, 15 ndalesa, 5 vendime dhe 7 masa të tjera inspektuese. Masat janë ndërmarrë në përputhje me autorizimet ligjore dhe në varësi të natyrës së parregullsive të konstatuara” – thonë nga Inspektorati i Bujqësisë.

Nga inspektorati sqarojnë se të dhënat e paraqitura kanë të bëjnë me masat inspektuese dhe nuk përfaqësojnë numrin e procedurave kundërvajtëse apo të gjobave të shqiptuara. Megjithatë, rreziku nuk është vetëm ekonomik, është edhe shëndetësor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se ekspozimi ndaj pesticideve mund të shkaktojë pasoja akute, por edhe afatgjata, varësisht nga lloji i substancës dhe niveli i ekspozimit. Prandaj, kontrolli i mbetjeve në ushqim dhe respektimi i kufijve të lejuar janë thelbësorë për mbrojtjen e konsumatorëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër