Ibrahimaj: Diaspora, partner kyç për inovacionin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

Nga D. V.
307 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 14 prill Zhurnal.mk – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në panelin “Diaspora Partner në Biznes dhe Inovacion”, pjesë e Samitit të Diasporës, i organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ky panel u fokusua në mundësitë që diaspora shqiptare ofron për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë përmes investimeve, inovacionit dhe transferimit të njohurive.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se diaspora shqiptare është një aset i jashtëzakonshëm që mund të nxisë dhe përshpejtojë proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo nënvizoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve me diasporën dhe angazhimin e saj në mbështetje të startup-eve dhe infrastrukturës inovative në Shqipëri.

“Diaspora është një urë lidhëse e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Me gjithë entuziazmin dhe dëshirën e mirë që kemi pasur gjatë samiteve të kaluara, besoj se mund të bëjmë shumë më tepër. Ky vit do të jetë një moment kyç për të pasur rezultate konkrete dhe për të intensifikuar bashkëpunimin me diasporën, duke krijuar një ekosistem më të hapur dhe më konkurrues”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ajo gjithashtu theksoi se numri i shqiptarëve nga diaspora që kanë aplikuar për fondet e mbështetjes së startup-eve ka pësuar një rritje të dukshme, nga 35 aplikime në vitin e kaluar në 70 aplikime këtë vit.

Ibrahimaj vuri në dukje se diaspora shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar në nxitjen e inovacionit dhe për të sjellë njohuri dhe eksperiencë të vlefshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si energjia e rinovueshme dhe turizmi.

“Ne kemi krijuar mundësi për investitorët nga diaspora, dhe 10% e fondeve që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion për mbështetje të inovacionit janë të dedikuara për diasporën. Kjo është një hap i rëndësishëm për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dhe për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet një vend më i zhvilluar ekonomikisht”, theksoi Ibrahimaj.

Ibrahimaj shtoi se përmes këtij paneli, synohet forca e lidhjeve me diasporën, nxitja e inovacionit dhe zhvillimi i bashkëpunimit për të kontribuar në transformimin ekonomik dhe teknologjik të Shqipërisë. Ajo theksoi se roli i diasporës është thelbësor jo vetëm si burim financiar, por si partner aktiv në zhvillimin e vendit.

Ministrja Ibrahimaj bëri thirrje për një angazhim të përbashkët dhe konkret në mbështetje të iniciativave të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive dhe mbështetjes për të rinjtë dhe startup-e shqiptare.

Paneli u pasua nga diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrësve dhe profesionistëve shqiptarë nga diaspora dhe bizneset në Shqipëri, si dhe mbi mekanizmat lehtësues që mund të mundësojnë investime më të shumta dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur dhe konkurrues.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër