Tiranë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se konkurrenca në sektorin e turizmit mes vendeve të rajonit mund të ndikojë edhe në nxitjen e protestave kundër projekteve të zhvillimit në Shqipëri.
Ibrahimaj u shpreh gjatë një emisioni në RTSH, se po rishikohet ligji për investimet strategjike, ku një element i veçantë do të merret me sigurinë juridike të investitorëve.
“Ne kemi detyrim që ky ligj të miratohet brenda këtij viti. Do kemi një kuadër të rifreskuar të ligjit të investimeve ku patjetër që do kujdesemi që të rishikojmë edhe të gjithë komponentët e garantimit të sigurisë juridike të investitorëve”, theksoi ministrja.
E pyetur lidhur me protestat për Zvërnecin, Ibrahimaj tha se nuk ka asnjë dyshim se rivaliteti në turizëm krijon interesa që investimet të orientohen drejt vendeve të tjera të rajonit dhe jo drejt Shqipërisë.
“Unë nuk kam asnjë dyshim që rivaliteti në turizëm nxit dhe protesta. Ne jemi në konkurrencë për turizmin, jemi në konkurrencë me të gjithë fqinjët tanë dhe kjo pa diskutim që ka një interes i fqinjëve që Shqipëria të mos zhvillohet sepse interesi është që investimet të shkojnë në vendin e tyre, por kjo është shumë e thjeshtë për t’u menduar. Aty pa diskutim që ka rryma të cilat janë të ndryshme dhe unë nuk besoj se është vetëm një rrymë që e nxitë protestën. Besoj se janë disa rryma që nxisin protestën”, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se protestat nuk nxiten vetëm nga një grup apo rrymë e vetme, por ekzistojnë interesa të ndryshme që ndikojnë në organizimin dhe mbështetjen e tyre.
“Siç besoj se ka dhe shumë qytetar të cilët nuk janë fare të ndikuar nga ndonjë rrymë të cilët për një kauzë dalin aty dhe sigurisht që përdoren pastaj për kauzat e atyre që vijnë të ndikuar nga rrymat specifike. Por pa diskutim që është evidente që aty ka rryma dhe që ka persona që kanë interes dhe që po e nxisin. Persona, shtete, entitete që ka interes dhe po nxisin protestën”, theksoi ministrja.
Ibrahimaj tha se qeveria është e gatshme të ulet dhe të diskutojë sa i përket kërkesave të tyre në këtë protestë.
