Hoxha vlerëson mbështetjen e Irlandës për zgjerimin e BE-së

Nga D. V.
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në një diskutim të organizuar në Dublin (Republika e Irlandës) nga Instituti për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA).

Në një postim në rrjetin social “X”, Hoxha bën të ditur se gjatë diskutimeve u shkëmbyen mendime mbi temën “Rruga evropiane e Shqipërisë”.

“Gjithmonë një kënaqësi të angazhohesh me shoqërinë civile dhe komunitetin e instituteve kërkimore”, shkruan Hoxha.

Sipas ministrit, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian ka hyrë në fazën më dinamike, më sfiduese dhe më vendimtare që nga fillimi i transformimit demokratik të vendit, më shumë se 30 vjet më parë.

“Diskutuam për progresin e reformave në Shqipëri, vrullin e ri të zgjerimit të BE-së dhe hapat që duhen ndërmarrë drejt objektivit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Po ashtu, u ndalëm te rëndësia gjeopolitike e procesit të zgjerimit dhe nevoja për një proces pranimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë”, thekson Hoxha.

“Vlerësuam mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës për zgjerimin e BE-së dhe rolin që Presidenca e ardhshme irlandeze e Këshillit të BE-së mund të luajë në diskutimet për të ardhmen e Evropës dhe integrimin e vendeve aspirante. Falënderoj IIEA-n dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë diskutim të vlefshëm”, përfundon Hoxha postimin e tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër