Kragujevac, 10 tetor Zhurnal.mk –Milan Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit terrorist në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, është shfaqur në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc, siç raporton rekordi.net.
Sipas pamjeve të publikuara nga televizioni serb N1, Radoiçiqi shihet në shoqërinë e Danillo Vuçiqit, djalit të Aleksandar Vuçiqit, para sallës “Jezero”, ku u mbajt tubimi i SNS-së. N1 raportoi se Danillo Vuçiqi kishte mbërritur në tubim i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese të ndezura, raporton RTK-ja.
Radoiçiqi është në kërkim nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Interpoli lëshoi urdhër-arrest për të dhe 11 persona të tjerë në dhjetor të po atij viti. BE-ja dhe NATO-ja i kanë bërë vazhdimisht thirrje Serbisë që ta mbajë përgjegjës Radoiçiqin dhe të tjerët e grupit që ai udhëhoqi.
N1 raporton gjithashtu se Radoiçiqi me një grup personash kishin frikësuar banorët e Kosjeriqit në Serbi gjatë zgjedhjeve lokale në këtë qytet. Për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, Radoiçiqi është nën sanksionet amerikane prej disa vitesh.
