Irani: Marrëveshja me SHBA-në “e arritshme”, ndërsa bisedimet bërthamore vazhdojnë në Gjenevë

Nga D. V.
506 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pas më shumë se tre orësh diskutime intensive, bisedimet SHBA-Iran u pezulluan për një pushim dhe pritet të rifillojnë më vonë gjatë ditës, sipas “The Guardian”.

Ndërmjetësuesit shpresojnë se ky raund mund të shënojë progres konkret drejt një marrëveshjeje të re, në një kohë kur pasiguria dhe tensionet vazhdojnë të rëndojnë mbi rajonin.

Raundi i tretë i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara te Amerikes dhe Iranit për programin bërthamor iranian ka nisur në Gjenevë, në një moment delikat për sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Negociatat po zhvillohen me ndërmjetësimin e Omanit, i cili prej vitesh ka mbajtur një rol neutral në përpjekjet për dialog mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Delegacionin iranian e drejton ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa palën amerikane e përfaqëson i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff.

Takimet janë indirekte – dy delegacionet nuk ulen përballë njëri-tjetrit, por komunikojnë përmes ministrit të Jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi, i cili përcjell propozimet dhe kundërpropozimet mes palëve.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Omanit, gjatë takimit të parë janë shqyrtuar në detaje pikëpamjet dhe propozimet e Iranit, si dhe përgjigjet dhe pyetjet e delegacionit amerikan lidhur me elementet kryesore të programit bërthamor iranian.

Diskutimet janë përqendruar në çështje teknike, mekanizma monitorimi dhe garanci për zbatimin e çdo marrëveshjeje të mundshme.

Albusaidi deklaroi se negociatorët janë treguar “të hapur ndaj ideve të reja dhe kreative”, duke shtuar se atmosfera është konstruktive dhe e orientuar drejt arritjes së një marrëveshjeje të drejtë me garanci të qëndrueshme.

Një element i rëndësishëm i këtij raundi është prania e drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, i cili merr pjesë si vëzhgues teknik.

Roli i tij konsiderohet vendimtar, pasi IAEA-ja ka autoritetin për të verifikuar nëse çdo angazhim i Iranit për kufizimin ose pezullimin e pasurimit të uraniumit përmbush standardet ndërkombëtare të inspektimit dhe transparencës.

Nga ana e Teheranit, kërkesa kryesore mbetet heqja e pakthyeshme e sanksioneve ekonomike, përfshirë zhbllokimin e miliarda dollarëve asete të ngrira jashtë vendit.

Irani synon garanci ligjore dhe politike që marrëveshja të mos zhbëhet nga ndryshime të ardhshme në administratën amerikane.

Në të kaluarën, pezullimi i pasurimit të uraniumit ka ndodhur – si në vitin 2003 – çka tregon se ekziston precedent për kompromise të përkohshme.

Këshilltari i liderit suprem iranian, Ali Shamkhani, deklaroi se një marrëveshje “e menjëhershme” është e mundur nëse negociatat fokusohen ekskluzivisht në parandalimin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani.

Sipas tij, kjo përputhet me dekretin fetar (fetva) të liderit suprem dhe me doktrinën mbrojtëse të Republikës Islamike.

Këto janë bisedimet e treta që nga qershori 2025, kur SHBA-ja iu bashkua operacioneve ushtarake izraelite kundër objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane, duke ndërprerë procesin e mëparshëm diplomatik.

Dështimi i raundit aktual mund të rrisë ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.

Teherani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi të ri, ndërsa në Uashington mbetet e paqartë, se cilat do të ishin hapat e ardhshëm nëse dialogu dështon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër