Në Iran u mbajt një ceremoni masive mortore për 168 nxënëse dhe 14 mësues të një shkolle vajzash në qytetin e Minabit, e cila u godit të shtunën, në ditën e parë të sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit. Televizioni shtetëror iranian shfaqi mijëra njerëz të mbledhur në një shesh në Minab, ndërsa Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për vrasjen e vajzave, më të rejat prej të cilave ishin vetëm shtatë vjeç.
„Këto janë varre që po hapen për më shumë se 160 vajza të reja të pafajshme, të cilat u vranë në bombardimet amerikano-izraelite mbi një shkollë fillore. Trupat e tyre u bënë copë-copë. Kështu duket në realitet ‘shpëtimi’ që premtoi Trumpi“, shkroi Araghchi në platformën X.
Ushtria izraelite njoftoi gjatë fundjavës se nuk ka informacione për ndonjë sulm amerikan apo izraelit në atë zonë, ndërsa zëdhënësi i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane deklaroi se po e hetojnë rastin.
„SHBA-ja nuk do të shënjestronte një shkollë qëllimisht“, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Shkolla fillore „Shajaba Tayyiba“ ndodhet vetëm 60 metra larg një baze ushtarake iraniane në jug të vendit. Pas sulmit, mediat shtetërore iraniane publikuan pamje nga shkolla e shkatërruar, me çanta shkolle dhe libra të shpërndarë kudo.

