Ish-kryeministri italian në Prishtinë, Letta: Kosova dhe Ballkani Perëndimor të përfshihen në tregun e përbashkët para anëtarësimit në BE

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Ish-kryeministri i Italisë dhe presidenti i Institutit Jacques Delors, Enrico Letta, ka vizituar Kosovën, pasi, ishte i ftuar në Forumin e Shoqërisë Civile 2026.

Nga Prishtina, ai ka bërë thirrje që Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të përfshihen gradualisht në Tregun e Përbashkët Evropian edhe para anëtarësimit formal në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe jo të mbetet vetëm në nivel premtimesh politike.

“Tregu i Përbashkët është më shumë se një treg, është qytetari e plotë evropiane, pra, jo të jesh emigrant në Bashkimin tënd Evropian. Kjo është arsyeja pse unë e kam mbështetur Tregun e Përbashkët si një hap kryesor në zgjerimin e BE-së”, theksoi ai.

Në këtë forum, Letta tha se se përfshirja graduale e vendeve kandidate në tregun evropian do t’u mundësonte qytetarëve dhe bizneseve të përfitonin nga integrimi edhe para anëtarësimit formal në BE.

Po ashtu, sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të përqendrohen vetëm në marrëdhëniet me Brukselin, por duhet të forcojnë edhe bashkëpunimin ekonomik mes tyre. Ai paralajmëroi se përsëritja e gabimeve të zgjerimeve të mëparshme mund ta vështirësojë integrimin.

Ndër tjera, Letta kërkoi integrim më të thellë dhe më shumë autonomi ekonomike e strategjike, duke prezantuar edhe rëndësinë e planit “Një Evropë, një treg”, i cili synon thjeshtimin e rregullave, integrimin e tregjeve financiare dhe forcimin e kompanive evropiane.

“Ne jemi të gjithë vende të vogla”, ishte një nga mesazhet kryesore të Lettës, i cili argumentoi se shtetet evropiane duhet të bashkohen për të pasur peshë më të madhe ekonomike dhe politike në raport me SHBA-në, Kinën dhe fuqitë e tjera globale.
Përpos ish-kryeministrit italian, pjesë e forumit ishte edhe ekonomistja dhe Valbona Zeneli.

Në hapje të ditës së dytë të forumit, Zeneli theksoi se diskutimet e një dite më parë kishin nxjerrë në pah një problem të përbashkët për rajonin: hendekun mes angazhimeve politike dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Sipas saj, pengesa kryesore në Ballkanin Perëndimor nuk është më vetëm mungesa e politikave apo e legjislacionit, por mungesa e kapaciteteve institucionale, mbikëqyrjes, koordinimit dhe llogaridhënies, shkruan Telegrafi.

Ekonomistja theksoi se ligjet dhe zotimet e nënshkruara nuk po shndërrohen gjithmonë në institucione funksionale dhe rezultate konkrete për qytetarët.

Zeneli identifikoi tri çështje kryesore, si, qëndrueshmërinë demokratike si pjesë të sigurisë, përfshirjen e të gjitha komuniteteve në proceset politike dhe ndërtimin e një kulture të përgjegjësisë institucionale.

Ndër tjera, ajo kërkoi gjithashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e demokracisë edhe para anëtarësimit në BE.

Në këtë forum, u fliten edhe tema tjera, si mungesa e investimeve dhe ideja që Evropa të shihet si një projekt paqeje, e jo vetëm si objekt ekonomik, pasi, qytetarët e Ballkanit Perëndimor të krenohen me arritjet e BE-së.

Pra, mesazhi kryesor i forumit ishte se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor duhet të shoqërohet me hapa konkretë, institucione funksionale dhe rezultate të prekshme për qytetarët, në mënyrë që zgjerimi të mos mbetet vetëm një premtim politik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër