Shkup, 1 gusht Zhurnal.mk – Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve të respektojnë masat për mbrojtje nga temperaturat e larta, pasi sipas parashikimeve të DPHM-së, vala e të nxehtit do të zgjasë deri më 7 gusht.
Qytetarëve u rekomandohet të shmangin daljet në diell nga ora 11:00 deri në 17:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta ose me ajër të kondicionuar dhe, nëse duhet të jenë jashtë, të bëjnë pushime të shpeshta në hije. Gjithashtu, këshillohet të veshin rroba të lehta, kapelë dhe syze mbrojtëse.
ISHP rekomandon konsumimin e mjaftueshëm të ujit dhe pijeve minerale pa pritur ndjenjën e etjes, ndërsa duhet të shmangen alkooli, pijet me kafeinë, pijet shumë të ftohta, si dhe ushqimet e rënda, të yndyrshme dhe me shumë sheqer.
Kujdes i veçantë kërkohet për personat mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët, të sëmurët kronikë dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura. Ata duhet të marrin rregullisht terapinë dhe të kontaktojnë mjekun nëse kanë ndryshime në gjendjen shëndetësore.
Instituti këshillon gjithashtu që gjatë ditës të mbahen të mbyllura dritaret dhe perdet, ndërsa të hapen gjatë natës për të freskuar ambientet. Nuk duhet të lihet askush në automjet të parkuar, ndërsa për freskim mund të përdoren dush me ujë të vakët ose kompresa të ftohta.
Nëse shfaqen marramendje, dobësi, etje e madhe, dhimbje koke ose ngërçe muskulore, personi duhet të zhvendoset menjëherë në një vend të freskët, të pijë ujë dhe, nëse gjendja përkeqësohet, të telefonojë në 194 ose 112.
Sipas DPHM-së, moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë gjatë ditëve në vijim. Temperaturat do të kalojnë 32 gradë në të gjithë vendin, ndërsa në disa rajone pritet të arrijnë dhe të tejkalojnë 40 gradë Celsius. Temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe gjatë mbrëmjes dhe natës.
