Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë

Nga D. V.
444 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Italia vazhdon të renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 83,4 vitesh, sipas raportit më të fundit të publikuar nga ISTAT.

Të dhënat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të jetëgjatësisë gjatë dekadave të fundit.

Krahasuar me vitin 1990, jetëgjatësia është rritur me rreth 8 vite për burrat dhe 6,5 vite për gratë, duke arritur respektivisht në 81,5 dhe 85,6 vite në vitin 2024.

Raporti “Shëndeti: Një arritje për t’u mbrojtur” analizon evolucionin historik të jetëgjatësisë në Itali, duke theksuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë progres.

Ndër më të rëndësishmit mbetet rënia drastike e vdekshmërisë foshnjore.

Në vitin 2023, kjo normë zbriti në 2,7 për 1000 lindje, një nga nivelet më të ulëta në botë, ndërsa në shekullin XIX shënonte rreth 230 për 1000 lindje.

Sipas analizës, ky përmirësim është rezultat i një procesi afatgjatë, ku kanë kontribuar përmirësimi i kushteve të jetesës, ushqyerja më e mirë, higjiena, përparimet në mjekësi dhe përhapja e vaksinimit.

Një rol kyç ka luajtur edhe krijimi i sistemit shëndetësor universal në vitin 1978, i cili garantoi akses më të gjerë në shërbime shëndetësore dhe ndihmoi në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate nuk duhen marrë si të mirëqena.

Sfidat e reja, si plakja e popullsisë, rritja e sëmundjeve kronike dhe presioni mbi sistemin shëndetësor, kërkojnë politika të qëndrueshme për të ruajtur dhe përmirësuar më tej jetëgjatësinë në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër