Izraeli dhe Libani zgjasin armëpushimin me 45 ditë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bejrut, 15 maj Zhurnal.mk – Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zgjatjen me 45 ditë të armëpushimit të brishtë mes dy vendeve, pas dy ditësh negociatash të zhvilluara në Uashington DC, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, qëllimi i bisedimeve është arritja e një paqeje të qëndrueshme dhe forcimi i sigurisë përgjatë kufirit mes dy vendeve.

“Shpresojmë që këto diskutime të avancojnë drejt paqes afatgjatë mes dy vendeve, njohjes së plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit, si dhe garantimit të sigurisë reale në kufirin e përbashkët”, deklaroi ai.

Armëpushimi ishte shpallur më 16 prill nga presidenti amerikan Donald Trump, por pavarësisht marrëveshjes, Izraeli dhe Hezbollah kanë vijuar përplasjet dhe shkëmbimet e zjarrit.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Libanit bëri të ditur se të mërkurën sulmet ajrore izraelite në jug të vendit shkaktuan 22 viktima, mes tyre edhe tetë fëmijë.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi gjithashtu se në muajin qershor do të rifillojë faza politike e negociatave mes palëve.

Po ashtu, më 29 maj pritet të nisë në Pentagon një tjetër raund bisedimesh për çështjet e sigurisë, me pjesëmarrjen e delegacioneve ushtarake nga Izraeli dhe Libani.

artikuj të ndërlidhura