Izraeli drejt zgjedhjeve të parakohshme, miratohet votimi i parë për shpërbërjen e parlamentit

Nga D. V.
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tel Aviv, 02 qershor, Zhurnal.mk – Parlamenti i Izraelit miratoi sot, në lexim të parë, një projektligj për shpërndarjen e tij, duke hedhur një hap tjetër drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në “Knesset”, parlamentin izraelit me seli në Jerusalem, 106 nga 120 deputetët votuan pro propozimit përkatës.

Megjithatë, përpara miratimit përfundimtar, projektligji duhet të kalojë edhe dy lexime të tjera.

Muajin e kaluar, një shumicë e qartë e deputetëve votuan në favor të shpërndarjes së parlamentit në një votim paraprak.

Ende nuk është e qartë se kur do të zhvillohen dy leximet e fundit.

Për shkak të mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës, ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të reja.

Mediet izraelite raportojnë se kjo datë do të përcaktohet përpara dy votimeve përfundimtare.

Sipas raportimeve, zgjedhjet pritet të mbahen mes 8 shtatorit dhe 20 tetorit, ndërsa afati i fundit ligjor është 27 tetori.

Sipas medieve izraelite, partnerët ultra-ortodoksë të koalicionit të kryeministrit, Benjamin Netanyahu po kërkojnë, që zgjedhjet të zhvillohen në fillim të shtatorit, përpara disa festave të rëndësishme hebraike.

Ata shpresojnë se kjo do të rrisë pjesëmarrjen në votime të elektoratit ultra-ortodoks.

Nga ana tjetër, Netanyahu raportohet se preferon një datë më të vonshme, pasi synon të çojë përpara nisma të tjera legjislative dhe të arrijë objektiva ushtarake të papërfunduara.

Sondazhet e opinionit publik nuk japin një panoramë të qartë nëse Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit, do të jetë në gjendje të sigurojë një tjetër shumicë parlamentare.

Një nga pikat kryesore të përplasjes politike mbetet, shërbimi i detyrueshëm ushtarak për hebrenjtë ortodoksë.

Partnerët ultra-ortodoksë të koalicionit kanë kërkuar shpërndarjen e parlamentit, pasi janë të pakënaqur që qeveria e djathtë, me orientim fetar, nuk ka arritur të miratojë një ligj, që do t’i përjashtonte burrat ultra-ortodoksë nga detyrimi për shërbimin ushtarak.

Kjo çështje është kryesisht e diskutueshme, për shkak të mungesës së konsiderueshme të ushtarëve në njësitë luftarake dhe ndryshimit të klimës politike, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Për dekada me radhë, burrat ultra-ortodoksë në Izrael kanë qenë të përjashtuar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, por ky status i veçantë përfundoi rreth dy vjet më parë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër