Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se për të tretin vit me radhë tekstet shkollore nuk kanë paraqitur problem dhe se ato do të dorëzohen me kohë në shkolla para fillimit të vitit të ri shkollor.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, Janevska theksoi se shpërndarja e teksteve për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën ka filluar që në prill dhe maj, ndërsa gjatë javës së ardhshme do të nisë edhe distribucioni për të gjitha klasat nga e para deri në të nëntën.
“Për të tretin vit me radhë tekstet shkollore nuk paraqesin problem në këtë shtet dhe dorëzohen rregullisht deri më 1 shtator, kur fillon viti shkollor,” tha Janevska.
Ajo shtoi se deri tani janë shpërndarë rreth 250.000 tekste për nxënësit e klasave të para, ndërsa numri i përgjithshëm i teksteve që do të shpërndahen arrin rreth një milion e gjysmë kopje.
Mickoski: Më vjen keq që në kohën e inteligjencës artificiale, ne gëzohemi për dorëzimin me kohë të teksteve shkollore
Kryeministri Hristijan Mickoski sot gjithashtu deklaroi se tekstet për vitin e ri shkollor do të dorëzohen me kohë.
“Nëse para 10–15 vitesh flisnim për kompjuter për çdo fëmijë, sot gëzohemi nëse tekstet shkollore i dorëzojmë me kohë, që fëmijët të mund t’i përdorin. Për fat të keq patëm një kataklizëm, një qeveri që ishte shtatë vite në Maqedoni dhe pasojat janë shkatërruese. Po punojmë prioritet pas prioriteti për t’i kthyer gjërat në normalitet. Jam i vetëdijshëm se ka qytetarë që durimi i tyre është drejt fundit, por e rëndësishme është që ne t’i realizojmë synimet dhe prioritetet tona dhe të lëmë përshtypjen se japim maksimumin për t’i sjellë gjërat aty ku duhet. Një nga këto procese është edhe zgjidhja sistemike për furnizimin e fëmijëve tanë me tekste shkollore,” tha Mickoski gjatë vizitës në SHFK “Ljuben Lape” në Aerodrom.
