Justina Shiroka-Pula është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës, duke marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhja e saj vjen pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik në vend dhe përpjekjeve të njëpasnjëshme për të arritur konsensus për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Shiroka-Pula, akademike dhe kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u propozua në orët e vona të së martës nga kryeministri Albin Kurti si kandidate për Presidente. Propozimi erdhi në kuadër të një formule të re politike për zhbllokimin e procesit dhe shmangien e një tjetër krize institucionale.
Justina Shiroka-Pula ka marrë 81 vota kurse Eliza Hoxha mori 1 votë.
Ajo është gruaja e parë që drejton Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në të kaluarën ka mbajtur edhe poste të rëndësishme publike. Nga viti 2008 deri më 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Shiroka-Pula ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në Zagreb. Ajo ka doktoruar në fushën e zhvillimit ekonomik dhe gjatë karrierës së saj ka qenë e angazhuar në institucione akademike, financiare dhe publike.
Zgjedhja e saj në krye të shtetit vjen në një moment vendimtar për institucionet e Kosovës, pas muajsh të tërë përplasjesh politike dhe vështirësish për konsolidimin e institucioneve.
Me zgjedhjen e Presidentes së re, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë fund një prej krizave më të gjata institucionale në vend dhe ka hapur rrugën për funksionimin e plotë të institucioneve të Republikës.
