Shkup, 07 tetor, Zhurnal.mk – VLEN ka përshëndetur zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke e cilësuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si Presidente të re të vendit si një hap drejt tejkalimit të ngërçit institucional.
Nga VLEN kanë thënë se Kosova ka dëshmuar se demokracia, dialogu politik dhe respektimi i institucioneve janë rruga për tejkalimin e situatave të vështira politike.
“Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si Presidente e re i jep fund ngërçit institucional dhe hap rrugën për rikthimin e plotë të funksionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga koalicioni i kanë uruar sukses Presidentes së re në detyrën e saj, duke vlerësuar se përvoja e saj në politikë, arsim dhe shkencë do t’i shërbejë forcimit të institucionit të Presidentit dhe stabilitetit të vendit.
VLEN ka përshëndetur edhe konsensusin politik për miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
“Ky dakordim politik tregon se përmes dialogut dhe vullnetit për marrëveshje mund të gjenden zgjidhje edhe për çështjet më të ndjeshme”, thekson VLEN.
Në fund, nga koalicioni kanë bërë thirrje që institucionet të funksionojnë dhe fokusi i politikës të jetë te qytetarët dhe zhvillimi i Kosovës.
“Tash është koha që institucionet të funksionojnë, politika të fokusohet te qytetarët dhe Kosova të ecë përpara me stabilitet, përgjegjësi dhe demokraci”, përfundon reagimi.
