Shkup, 20 shkurt – Afërsisht 188,5 ton kanabis mjekësor kanë raportuar prodhuesit e licencuar në periudhën 2020–2024 pranë Komisionit përkatës në Ministrinë e Shëndetësisë. Të dhënat për vitin 2025 do të bëhen të ditura në muajin mars, kur përfundon afati i raportimit.
Nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore – MALMED njoftojnë se në periudhën 10.05.2022 deri më 01.01.2026 janë lëshuar gjithsej 93 leje eksporti për subjektet juridike NYSK, New Garden, Bul Bilding, Sinceritas, Replek, Tetra Hip dhe kompani të tjera.
“Replek” është gjithashtu kompania e parë që ka marrë leje për prodhimin e ekstrakteve të kanabisit për qëllime mjekësore në tregun maqedonas. Në procesin e prodhimit përdor sasi më të mëdha kanabisi nga tregu evropian dhe dukshëm më pak nga tregu vendas. Përqindjen e saktë kompania e konsideron sekret afarist, por sipas njohurive tona, nga prodhuesit vendorë blejnë rreth 30 për qind.
Ligji, i cili u miratua me qëllim që t’u ndihmojë pacientëve me sëmundje të rënda, parashikon që terapia të përshkruhet vetëm me kërkesë të tyre, ndërsa procedurat janë të ndërlikuara dhe të gjata.
NEVOITEN NDRYSHIME NË LIGJ
Kur ekziston prodhim solid i kanabisit, blerje e ulët nga kompanitë që e përpunojnë në ekstrakte dhe numër i vogël kërkesash nga pacientët për trajtim, shtrohet pyetja – ku përfundon teprica?
Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë krijon rrezik që një pjesë e prodhimit të përfundojë në tregun e zi. Nga Shoqata për kanabis dhe politika të gjelbra “Bilka” vlerësojnë se sistemi është më shumë i orientuar drejt eksportit dhe fitimit, sesa drejt nevojave të pacientëve, dhe bëjnë thirrje për ndryshime ligjore.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se komisioni kompetent kryen kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme te subjektet e licencuara, në lidhje me prodhimin e raportuar, rezervat dhe evidencat.
Shoqata e kultivuesve dhe prodhuesve të kanabisit dhe produkteve nga kanabisi figuron si anëtare në Odën Ekonomike, por nga atje thonë se në dy vitet e fundit nuk ka pasur aktivitete të evidentuara.
Palët e përfshira theksojnë se problemi qëndron në sistemin që lë hapësirë për keqpërdorime. Maqedonia nuk guxon të bëhet “Lazarati i ri” apo “Kolumbia e Ballkanit”. Nevojitet urgjentisht rishikim i lejeve të dhëna, mbikëqyrje më e rreptë vendore dhe ndërkombëtare, si dhe sanksione më të ashpra për çdo keqpërdorim eventual.
