Karakaçi: 110 milionë euro investime në konvikte, Vaun e Dejës dhe digjitalizimin e nënstacioneve elektrike

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen me qeverinë gjermane, me vlerë 110 milionë euro, për financimin e tre projekteve të rëndësishme në sektorin energjetik, nga të cilat 20 milionë euro janë grant.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në komunikimin për mediet pas mbledhjes së qeverisë, tha se projekti i parë lidhet me rehabilitimin e konvikteve për rritjen e eficiencës së energjisë.

Sipas tij, pas përfundimit me sukses të investimeve në 15 konvikte, marrëveshja i hap rrugë vijimit të investimeve në 14 konvikte të tjera, me synim përmirësimin e kushteve dhe rritjen e eficiencës energjetike.

Projekti i dytë lidhet me investimin në HEC-in e Vaut të Dejës, një prej hidrocentraleve më të rëndësishme të vendit, i ndërtuar rreth 50 vite më parë.

Ministri Karakaçi tha se HEC-i i Vaut të Dejës kontribuon me rreth 28% të prodhimit total të energjisë elektrike nga KESH dhe se investimi synon zgjatjen e jetëgjatësisë së tij me rreth 30 vite të tjera.

Projekti i tretë lidhet me digjitalizimin e operimit të transmetimit të energjisë. Në kuadër të tij parashikohet digjitalizimi i rreth 40 nënstacioneve, çka do të mundësojë menaxhim më efikas të flukseve energjetike dhe rritjen e kapaciteteve të furnizimit me energji.

Marrëveshja Shqipëri-Gjermani synon kështu mbështetjen e investimeve në eficiencën energjetike, modernizimin e infrastrukturës së prodhimit dhe transmetimit të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër