Shkup, 13 qershor, Zhurnal.mk – Dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë përshëndetur avancimin e projektit për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë–Prishtinë, duke e cilësuar atë si një investim strategjik që afron qytetarët dhe forcon lidhjet ekonomike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Bashkëkryetari i VLEN-it, njëherit kryetar i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njoftoi se kanë përfunduar të gjitha procedurat burokratike dhe se është hapur rruga për fillimin e punimeve në autostradën Shkup–Bllacë.
“Autostrada Shkup–Bllacë po bëhet. Përfunduan të gjitha procedurat burokratike dhe u hap rruga për fillimin e punimeve. Shkupi me Prishtinën sot janë më afër se kurrë. Koha e demagogjisë shterpe ka mbaruar. Shqiptarët po jetojnë epokën e punës, projekteve dhe zhvillimit”, ka shkruar Kasami në Facebook.
Ndërkohë, bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, njëherit kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vënë në pah vlerën e investimit prej 200 milionë eurosh, duke theksuar se projekti është dëshmi e realizimit të premtimeve të dhëna para qytetarëve.
“Shkupi tashmë më afër Prishtinës. 200 milionë euro për rrugën Shkup–Bllacë–Prishtinë. Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave, mes premtimeve të thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai shtoi se investimet infrastrukturore janë pjesë e vizionit për një shtet më të zhvilluar, ekonomi më të fortë dhe lidhje më të afërta mes vendeve të rajonit.
“Po ndërtojmë kilometra rrugë, sepse kështu afrojmë njerëz, krijojmë mundësi dhe hapim horizonte të reja për brezat që vijnë”, ka theksuar Mexhiti.
Sipas drejtuesve të VLEN-it, projekti i autostradës Shkup–Bllacë–Prishtinë përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, me ndikim të drejtpërdrejtë në lëvizjen e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
