Bruksel, 6 tetor Zhurnal.mk – Komisioni Europian prezantoi këtë të martë paketën për përgatitjen e Bashkimit Europian për zgjerimin e ardhshëm, duke propozuar ndryshime në mënyrën e funksionimit të Unionit, rregulla të reja për vendet që do të anëtarësohen dhe një integrim gradual të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë.
Paketa, e paralajmëruar nga presidentja Ursula von der Leyen dhe e kërkuar nga Këshilli Europian, synon të përshtatë qeverisjen, politikat dhe buxhetin e BE-së me një Union më të madh, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen e vlerave europiane dhe shtetit të së drejtës.
Komisioni propozon përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar në disa fusha ku traktatet e lejojnë, në vend të unanimitetit.
Sipas propozimit, kjo mund të zbatohet, ndër të tjera, për sanksionet, luftën kundër mashtrimit fiskal, masat fiskale në politikën energjetike dhe për vendimet ndërmjetëse gjatë negociatave të anëtarësimit, me synimin për ta bërë procesin më të shpejtë dhe më efektiv.
Një tjetër element i paketës janë garanci më të forta për vendet që do të anëtarësohen. Traktatet e ardhshme të anëtarësimit do të përfshijnë mekanizma të rinj që lejojnë masa nëse një shtet shkel angazhimet e marra gjatë negociatave, përfshirë në raste të rënda edhe pezullimin e të drejtës së votës në Këshill.
Komisioni propozon gjithashtu zgjerimin e procesit të integrimit gradual, duke u dhënë vendeve kandidate mundësinë të marrin pjesë më herët në politika të caktuara të Bashkimit Europian, si energjia, transporti, tregu digjital dhe mbrojtja, nëse plotësojnë kushtet përkatëse.
Në paketë theksohet se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028-2034 mund të përballojë pranimin e anëtarëve të rinj, ndërsa për Ukrainën parashikohen rregullime të veçanta për shkak të madhësisë dhe sektorit të saj bujqësor.
Komisioni njofton gjithashtu se në paketën e zgjerimit për vitin 2026 do të paraqesë “roadmap”-e orientuese për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, nëse këto vende vazhdojnë reformat.
Në konferencën për shtyp, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se zgjerimi është në interes të vetë Bashkimit Europian.
“Zgjerimi është në interesin tonë. Është një investim afatgjatë për paqen dhe prosperitetin e Europës. Na bën më të fortë, rrit peshën tonë politike dhe ekonomike dhe sjell më shumë vende pune e mundësi për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi ajo.
Kos shtoi se Komisioni ka propozuar pesë hapa për të përgatitur si vendet kandidate, ashtu edhe shtetet anëtare për zgjerimin, duke theksuar se duhet të shfrytëzohen mekanizmat e traktateve për të reduktuar rastet kur një vend i vetëm mund të bllokojë vendime që mbështeten nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian.
