Shkup, 3 maj, Zhurnal.mk – Aktivisti dhe denoncuesi publik Blendi Hodai ka raportuar se është kërcënuar pas publikimit të pretendimeve për parregullsi në Universiteti i Tetovës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hodai bëri të ditur se rastin e ka paraqitur në polici, duke theksuar se kërcënimet janë drejtuar ndaj tij, familjes dhe kolegëve të tij.
“Sapo paraqita një kërcënues ordiner në Stacionin e Policisë në Tetovë… Organet e rendit do të merren me secilin që këto ditë merr guximin të më kërcënojë mua, familjen time apo kolegët e mi. Me mua kërcënimet nuk funksionojnë. Sa më shumë të kërcënoni, aq më e qartë bëhet se kemi prekur diçka që ju dhemb. Të vërtetën do ta nxjerrim deri në fund. Ama mos e provoni më me familjen time — kjo është vijë e kuqe që nuk kalohet”, ka shkruar Hodai.
Rasti vjen pas publikimeve të tij lidhur me dyshime për parregullsi në Universitetin e Tetovës, çështje që ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
Ndërkohë, kërcënimet ndaj Hodait, ka reaguar zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve të raportuara ndaj kryetarit të organizatës “Forumi për Ndryshime në Arsim”, Blendi Hodai, duke kërkuar hetim institucional të rastit dhe mbrojtje të lirisë së shprehjes.
Përmes një reagimi publik, Sulejmani dënoi kërcënimet ndaj Hodait dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë ndaj aktivistit të arsimit.
“Dënoj ashpër kërcënimet e bëra ndaj kryetarit të organizatës ‘Forumi për Ndryshime në Arsim’, z. Blendi Hodai, dhe shpreh përkrahjen time ndaj tij”, deklaroi Sulejmani.
Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e përgjegjësve.
“Ftoj organet përgjegjëse ta hulumtojnë këtë rast”, theksoi zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Sulejmani nënvizoi se liria e fjalës mbetet një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe paralajmëroi se nuk duhet lejuar cenimi i saj.
“Fjala e lirë është vlera më e lartë e demokracisë. Kemi bërë shumë në këtë drejtim dhe tani nuk duhet t’i lejojmë askujt ta dëmtojë atë”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, Sulejmani i dha mbështetje publike Blendi Hodait me mesazhin: “Forca, Blendi Hodai!”.
