Shkup, 3 maj, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka paralajmëruar mbajtjen e Kongresit të Bashkimit më 9 maj, në Dita e Evropës, ku pritet të formalizohet shndërrimi i tij në një subjekt të vetëm politik.
Sipas tyre, ky proces përshkruhet si një hap i “pjekur politik”, përmes të cilit pesë subjekte politike do të bashkohen në një strukturë të vetme me emër, drejtim dhe program të përbashkët.
VLEN bënë të ditur se në fokus të platformës së re, do të jenë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, ndërtimi i një gjyqësori të pavarur, avancimi i integrimit evropian, partneriteti me NATO-n, si dhe ruajtja e familjes, traditës, kulturës dhe identitetit, përcjell Zhurnal.mk.
Në Kongresin e Bashkimit pritet të marrin pjesë rreth 850 delegatë, të cilët do të formalizojnë këtë proces unifikimi politik.
Nga VLEN theksojnë se bashkimi i subjekteve përbërëse shënon kalimin nga bashkëpunimi në një forcë të përbashkët politike, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm për përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend.
