Korçë, 4 shtator Zhurnal.mk – Pas udhëzimeve të dhëna nga Kryeminsitri Rama, deputetët socialistë kanë nisur takimet këtë të premte në zonat e tyre elektorale për të dëgjuar hallet e qytetarëve.
Deputetët e Qarkut të Korçës kanë zhvilluar këtë të premte takime me banorët në disa prej zonave të qarkut, në kuadër të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe evidentimit të problematikave të komuniteteve.
Takimet janë zhvilluar në orën 17:00 në Drenovë, Korçë-Rajoni 2, Miras, Pogradec dhe Qendër-Bulgarec, me pjesëmarrjen e deputetëve Besa Spaho, Romina Kuko, Genti Lakollari, Bledi Çomo dhe Ilirjan Pendavinji.
Por në qendër të diskutimeve me banorët kanë qenë kryesisht problemet e përditshme që prekin jetën dhe ekonominë e tyre.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga banorët ka qenë bujqësia dhe pamundësia për të shitur prodhimet. Fermerët shprehen se, pavarësisht punës dhe kostove të larta të prodhimit, një pjesë e konsiderueshme e produkteve bujqësore mbetet pa treg, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat e familjeve.
Një tjetër problem i përsëritur ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm, veçanërisht në zonat rurale, ku banorët kërkojnë ndërhyrje për përmirësimin e rrjetit dhe garantimin e një furnizimi të rregullt.
Në takime është ngritur gjithashtu gjendja e infrastrukturës rrugore në fshatra. Banorët kanë kërkuar ndërhyrje në rrugët lidhëse me qendrat urbane dhe rrugët e parcelave, të cilat në disa zona vijojnë të jenë problematike dhe vështirësojnë lëvizjen e banorëve dhe transportin e produkteve bujqësore.
Këto takime kanë shërbyer si një mundësi për deputetët që të marrin nga afër shqetësimet e komuniteteve, ndërsa problematikat e ngritura pritet të përcillen pranë institucioneve përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjeve.
