“Këtu nuk guxon të lësh as kafshë të jetojnë”, pacientët meshkuj dhe të punësuarit në rrezik në Spitalin Psikiatrik të Bardovcit

Nga Xh M
863 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 qershor Zhurnal.mk – Ekipi i revistës “Fokus” ka vizituar repartin e meshkujve në Spitalin Psikiatrik të Bardovcit, i cili aktualisht po rinovohet. Sipas dëshmive dhe pamjeve nga vendi i ngjarjes, kushtet në të cilat kanë jetuar pacientët për dekada të tëra ngjajnë me skena nga një film horror.

Pacientët kanë qëndruar në dhoma të amortizuara, me mobilie të dëmtuara, dysheme të rrënuara dhe hapësira që nuk plotësonin as kushtet minimale për jetesë. Në mensë mungonin kushtet bazë, ndërsa sipas dëshmive, pacientët nuk kishin as ujë të pijshëm.

Megjithëse reparti po rinovohet, një pjesë e madhe e pajisjeve dhe materialeve sigurohen përmes donacioneve. Punonjësit thonë se institucionet kompetente prej vitesh nuk i kushtojnë vëmendjen e nevojshme spitalit, i cili sipas tyre ka arritur në pikën më të ulët të funksionimit.

Stafi i pakët nuk e fsheh shqetësimin për mungesën e personelit dhe kushtet e vështira të punës.

“Jeta jonë këtu është në rrezik në çdo moment. Na mungon personeli, nuk kemi mjekë, infermierë dhe kujdestarë të mjaftueshëm. Çdo pacient kërkon qasje të veçantë dhe trajtim individual. Ne jemi shumë pak për t’i përballuar të gjitha. Në një ndërrim pune janë vetëm dy mjekë dhe një infermiere për 35 pacientë”, deklarojnë disa nga të punësuarit.

Një nga të dhënat më shqetësuese është se i gjithë Spitali Psikiatrik disponon vetëm nëntë psikiatër për rreth 300 pacientë. Sipas stafit, deri më tani janë dorëzuar më shumë se tetë kërkesa për punësime të reja, por ato janë injoruar nga institucionet përgjegjëse.

“Jemi lënë të vetëm të përballemi me problemet. Është e dhimbshme si për pacientët, ashtu edhe për ne”, shprehen punonjësit.

Për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe personelit, që nga 1 maji i këtij viti spitali nuk pranon pacientë të rinj, edhe pse një pjesë e madhe e rasteve psikiatrike nga mbarë vendi përfundojnë pikërisht në këtë institucion.

Pamjet dhe dëshmitë nga Spitali Psikiatrik i Bardovcit nxjerrin në pah një realitet të rëndë dhe ngritin pyetje serioze për kujdesin institucional ndaj pacientëve me probleme të shëndetit mendor në Maqedoninë e Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër